Rexhep Qosja

Rexhep Qosja ka lindur më 1936 në Vuthaj te Kelmendit, Plavë e Guci Malci e Madhe. Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes, tetëvjeçaren e mbaroi në Guci. Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, Beograd ku në vitin 1971 mori titullin "Doktor i shkencave filologjike" me temën "Asdreni-jeta dhe veprat". Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981. Që në fillimet e veta, duke folur për rolin e kritikës dhe modernitetit, Rexhep Qosja pohoi se "realizmi socialist nuk është as realizëm, sepse është romantizëm". Duke mbrojtur dhe ushtruar një kritikë të tillë dhe duke hequr dorë nga glorifikimi i një orientimi të vetëm u siguroi studimeve të veta dimensione të reja që i përkasin të gjitha kohërave.

Rexhep Qosja te Krojet e Vutha Plavë e Guci

27.5.11

Qosja për krizën aktuale në Shqipëri, Berishën e Kadarenë

Tiranë, 26 maj – Në një intervistë ekskluzive për gazetën Telegraf, akademik Rexhep Qosja analizon situatën aktuale politike në Shqipëri, ngërçin e krijuar pas zgjedhjeve të 8 majit, për letrën e Ismail Kadaresë drejtuar Lulzim Bashës. Ai flet gjithashtu edhe për perspektivën e çështjes kombëtare shqiptare, ku e thekson si të pashmangshëm bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Profesor, pas zgjedhjeve të 8 Majit, në Tiranë është krijuar tension i ri politik. Cili është perceptimi juaj për këtë tension dhe si e keni përjetuar atë?

- Është shumë e rëndësishme që dukuritë, proceset, veprimet, sjelljet, mendimet, idetë në jetën politike dhe shoqërore të emërtohen mundësisht sa më saktë, sa më përpiktë. Si për organizmin e njeriut, ashtu edhe për organizmin shoqëror vetëm diagnozat e sakta bëjnë të mundshme që të gjendet terapia përkatëse. Shqipëria ishte në krizë dhe ishte në një krizë të përgjithshme, që zgjat shumë, shumë. Kjo që ju quani, tani, “një tension i ri politik” në të vërtetë është një shkallë më tej, një ashpërsim i dukshëm më i madh i kësaj krize të përgjithshme, sepse është, njëkohësisht, krizë që me ashpërsinë e vetë lëndon fort organizmin shoqëror! Për mendjen time dhe për shpirtin tim kjo është një fatkeqësi për Shqipërinë dhe për shqiptarët!

Në një situatë të tillë, Presidenti i BE-së, Barroso, anuloi një vizitë në Tiranë ditët e fundit. Kë bëni përgjegjës për këtë vizitë të munguar dhe pse?

- Evropa sot apo, më saktë të thuhet, tani e disa vjet ka dy kriza: njëra krizë quhet Bjellorusi, kurse kriza tjetër quhet Shqipëri. Në qoftë se bëhemi objektivë, realistë, jo mashtrues ndaj vetvetes, do të themi: kriza e quajtur Shqipëri është po aq e madhe dhe po aq e gjithanshme sa kriza e quajtur Bjellorusi! Anulimi i vizitës së Kryetarit të Bashkimit Evropian, Hoze Manuel Barozo, në përbërjen e delegacionit të të cilit ishte edhe komisionari për Integrim, Shtefan Fyle, në Tiranë është masë e rreptë ndëshkuese që i shqiptohet politikës shqiptare, që i shqiptohet regjimit shqiptar, që i shqiptohet Shqipërisë. Kjo është masa më e rëndë ndëshkuese, me pasojat më të mëdha, që i është shqiptuar Shqipërisë prej BE-së pas vitit 1997. Më pyetni se kë bëj unë “përgjegjës për këtë vizitë të munguar dhe pse”? Unë, natyrisht, e di përgjegjësin, por unë nuk e kam fuqinë ligjore të shpall përgjegjësin. Sepse, po të kisha fuqi që të shpall përgjegjësit unë do të merrja edhe masat përkatëse ndaj përgjegjësit a përgjegjësve. Gjendja në të cilën është Shqipëria, kriza e përgjithshme në të cilën gjendet ajo, pamja e saj tepër e padëshiruar në Evropë dhe në botë përgjithësisht, e tregojnë përgjegjësin, e shpallin përgjegjësin. Dhe, ky përgjegjës është regjimi shqiptar; dhe ky përgjegjës është protagonisti i këtij regjimi; dhe ky përgjegjës është sundimtari i këtij regjimi; dhe ky përgjegjës është Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Pse? Sepse është pushtetmbajtës. Sepse është sundimtar. Sepse në duart e tij janë të gjitha levat e pushtetit në Shqipëri! Sepse është autokrat. Sepse është autokrat i tipit më anakronik, më fyes për një shoqëri që pretendon të quhet evropiane, bashkëkohore! Sepse është shkelës i Kushtetutës dhe i ligjeve!

Si e konsideroni rolin e ndërkombëtarëve në situatën aktuale politike të Shqipërisë?

- Sipas mendjes sime, edhe ndërkombëtarët janë fajtorë për krizën në të cilën është e zhytur Shqipëria, prandaj edhe për ashpërsimin e tashëm të kësaj krize. Mua më çudisin shumë sjelljet e tyre të lara e të lyera, kjo do të thotë sjelljet e tyre të mëndafshta ndaj të këqijave të vazhdueshme që prodhon klasa politike në Shqipëri; më çudisin shumë sjelljet e tyre dyfytyrëshe ndaj krizës së përgjithshme në Shqipëri; më çudisin shumë sjelljet e tyre të “figurshme”, “poetike”, bën ashtu e bën kështu, ndaj regjimit shqiptar fare qartë autoritar; nuk më çudisin sjelljet e tyre mostoleruese (me shumë vonesë) ndaj regjimeve autoritare në Afrikën Veriore, por më çudisin sjelljet e tyre toleruese ndaj regjimit autoritar në Shqipëri. Më çudisin e, ndoshta, nuk do të duhej të më çudisin: atje ka naftë shumë e në Shqipëri nuk ka naftë as për Shqipërinë!

Për zgjidhjen e kësaj krize, ditët e fundit Ismail Kadare i drejtoi një letër të hapur kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashës, ku i kërkonte tërheqjen nga gara. Në këtë pikë, a jeni ju në një mendje me Kadarenë për zgjidhjen e krizës dhe uljen e tensioneve politike?

Krizat politike e institucionale, shtetërore, zakonisht, nuk zgjidhen me letra e thirrje, të cilat mund të sjellin, kur e kur leverdi për shkruesin, kur e kur leverdi për marrësin e, kur e kur leverdi për protagonistët e krizave. Nuk po i paragjykoj “frytet” e letrës që përmendni, por dua të them: intelektuali e ka për obligim mendor dhe etik ta thotë të vërtetën pavarësisht sa e hidhur mund të jetë ajo, pavarësisht sa kanosen interesat e tij nga ajo, pavarësisht sa e keqpritur prej të tjerëve, prej opinionit, mund të jetë ajo. Ai që e quajmë intelektual nuk bën kalkulime, kurrfarë kalkulimesh. E, e vërteta për dramën e zgjedhjeve të 8 majit në Shqipëri është fare e qartë, fare e dukshme. Tregimi për këtë dramë është ky: më 21 janar të këtij viti janë vrarë 4 protestues, të pafajshëm dhe të varfër. Atë ditë kur janë vrarë ata, Lulzim Basha ishte ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Në çastin kur janë vrarë këta katër qytetarë të varfër, thuhet se ministri Lulzim Basha gjendej në ndërtesën e Kryeministrisë së Shqipërisë. Në ata katër protestues të pafajshëm e të varfër nuk ka mundur të shtihet me armë pa dijen e Lulzim Bashës (dhe të Kryeministrit Sali Berisha). Por, edhe po të ishin vrarë pa dijen e tij, ata, megjithatë, janë vrarë derisa ai ishte ministër, derisa ai u lëshonte urdhra Policisë dhe Gardës së shtetit. Kur kalin e vret shala mendja e shëndoshë e popullit, e filozofëve të demokracisë, e intelektualëve dhe e shkrimtarëve e thotë: fajtor është kalorësi. Domethënë: Lulzim Basha, të cilin unë kurrë nuk e kam takuar, kundër të cilit unë, që përpara, nuk mund të kem asgjë, objektivisht është vrasës i katër protestuesve të pa armë në dorë. Në botën demokratike ai ministër, domethënë ai fajtor për vrasjen e katër protestuesve, nuk mund të kandidohet për kryetar të bashkisë së kryeqytetit, as për kryetar të asnjë qyteti, as për ndonjë pozitë tjetër politike. Kandidimi i tij, e kam thënë edhe njëherë tjetër dhe po e përsëris prapë, nga ana e Partisë në të cilën është anëtar, në të vërtetë nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, është provokim i mendjes demokratike, i mendjes kundërdespotike. Kandidimi i tij, rrjedhimisht, është cenim i rëndë i kulturës politike të popullit shqiptar. Po të mendonte për interesat e vendit, ai nuk do të pranonte të kandidohej. Po t’i mendonte interesat e Shqipërisë, Kryeministri i Shqipërisë, nuk do ta kandidonte një njeri me barrë aq të madhe politike e morale në karrierën politike e në ndërgjegje, po do të kandidonte një anëtar tjetër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, e cila ka anëtarë shumë më të merituar, më të çmuar e me më shumë përvojë politike e qeverisëse se Lulëzim Basha. Një njeriu të tillë, që është bërë shkak për zhytjen e vendit në krizë të rrezikshme politike e shtetërore nuk i çohet letër me lutjen që të tërhiqet prej garës politike e pushtetore sepse edhe mendja më e virgjër do t’i tregonte: ai që me barrë të tillë politike e penale në karrierë e në shpirt hyn në garë politike për pozitë të re, më të lartë, ai prej asaj gare nuk tërhiqet i gjallë! Një njeriu të tillë i çon letër vetëm ai që letrën politike e shkruan duke menduar jo për të vërtetën që në të thuhet, por për frytet e saj vetjake. Megjithatë, kjo letër e I. Kadaresë ka një vlerë politike: ajo e tregon vetëdijen e autorit për fajin e Lulëzim Bashës, por kjo vetëdije, mjerisht, s’është bërë ndërgjegje që e tregon qartë dhe e mbron pa kalkulime të vërtetën për krizën e tashme në Shqipëri, kryeprotagonisti i së cilës është Sali Berisha.

Po për valën e re të protestave të opozitës, ç’mendim keni?

- Siç është parë më shumë herë, krizën politike, shoqërore, institucionale të Shqipërisë, nuk po e zgjidhin, fatkeqësisht, as bisedat, as bisedimet, as institucionet e pavarura, as ndërhyrjet e paqarta të BE-së. Në qoftë se faktorët ndërkombëtarë, në qoftë se BE-ja, vazhdon të jetë e paqartë, e pavendosur, e larë dhe e lyer si deri tani, në qoftë se Kolegji Zgjedhor s’e zgjidh krizën, atëherë mbetet vetëm një mjet për zgjidhjen e saj: protestat demonstratat, grevat, në të vërtetë mosbindja qytetare. Tani nuk mund të flitet më vetëm për truket e Sali Berishës në zgjedhje siç fliste për të ish- ambasadori amerikan në Tiranë. Tani kemi të bëjmë me rrëmbim, me plaçkitje të rezultatit të zgjedhjeve, me turli-turli makinacionesh! Tani kemi të bëjmë me shkelje të ligjit; tani kemi të bëjmë me shkelje të Kodit Zgjedhor; tani kemi të bëjmë me privatizim të plotë, brutal, të shtetit, domethënë me cenim përfundimtar të shtetit! Atë që ia mohoi opozitës gjatë dy vjetëve, Kryeministri i Shqipërisë tani ia lejoi vetes; dhe kipcit të tij, Lulëzim Bashës! Dhe, kështu ndodhi përbuzja, fyerja më e rëndë e opozitës shqiptare, në të vërtetë e gjysmës së Shqipërisë!
Për hir të ardhmërisë demokratike të Shqipërisë, opozita shqiptare, Kolegji Zgjedhor, institucionet e pavarura, nuk guxojnë të lejojnë që padrejtësia, dhuna të bëhen të ligjshme, siç po do ta bëjë Sali Berisha duke shkelur Kodin Zgjedhor dhe ligjin dhe siç e ka bërë edhe sa herë më parë. Për hir të ardhmërisë demokratike të Shqipërisë, opozita shqiptare, Kolegji Zgjedhor, institucionet e pavarura të Shqipërisë, nuk guxojnë të lejojnë që në skenën politike shqiptare të ngrihet paligjshëm e të bëhet politikisht i qëndrueshëm edhe një Sali Berishë i dytë, i cili, siç e dëshmoi më në fund, do të zbatojë teknologjinë politike e pushtetore të gënjeshtrës, të mashtrimit, të falsifikimit, të rrëmbimit, të mësuar prej mësuesit dhe padronit të tij. Opozita shqiptare, Kolegji Zgjedhor, institucionet e pavarura të Shqipërisë, nuk guxojnë të harrojnë devizën themeltare të demokracisë, në të cilën mbështetet gjithë historia demokratike e popujve historikë liridashës: është mëkat t’i bëhet e padrejtë tjetrit, por po aq është mëkat edhe të durohet padrejtësia. Protestat, demonstratat, grevat e urisë, mosbindja qytetare paqësore, prandaj, jo vetëm se janë të ligjshme, por ato janë të domosdoshme për të shpëtuar dinjitetin shtetëror të Shqipërisë, për ta nxjerrë Shqipërinë prej krizës, për të filluar shërimi i Shqipërisë: shërimi politik, etik dhe shtetëror i Shqipërisë. Por, kam drojë se opozitës i mungon frymëmarrje mjaftueshëm e gjatë për ndërmarrje të tillë historike. Po ta kishte këtë frymëmarrje nuk do ta ndërpriste grevën e urisë dhe nuk do të pranonte të mashtrohej prej përfaqësuesve të BE-së në restorantin “Krokodil” në Strasburg!

14.2.11

Tradhtia etike e (sipas) Qosjes

Jusuf Thaçi

Të quajtur e të vetëquajtur kemi pasur shumë dhe gjithmonë, por intelektualë të mirëfilltë e të gjithanshëm, që nga fillesat e njerëzimit e deri në fund të shekullit të kaluar, shqiptarët kanë pasur shumë pak. Ndër ta do të përmendja dy, Hasan Prishtinën dhe Rexhep Qosjen. Se ç’ngjau me të parin e dimë që të gjithë dhe lum ne që e patëm, por se ç’po ngjet me këtë të dytin, vështirë ta kuptojë ndokush! Së paku unë jo!

Për të shkruar këtë shkrim u inspirova nga paraqitja e akademik Qosjes në emisionin Shqip, në Top Channel. Të them të drejtën, megjithëse kam përcjellë me vëmendje të gjitha debatet e analizat në lidhje me gjendjen aktuale në Shqipëri, nuk më kishte rastisur që të dëgjoja një analizë më të mirë rreth situatës së krijuar në Shqipëri dhe faktorëve, përkatësit fajtorëve që e kanë sjellë Shqipërinë në këtë gjendje. Akademik Qosja, si pakkush më parë, me dellin e tij analitik, sigurisht edhe me ngarkesë emocionale, por me dozë intelektuale, i tha qartë dhe zëshëm disa të vërteta që nuk thuhen aq shkoqitur nga intelektualët e pavarur e pa ngjyrime politike.

Akademik Qosja shumë qartë i përmendi dhe i shtjelloi krimet e shumta të Sali Berishës që nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar (zhvillimet në botën moderne e aktualizojnë nevojën për të ripërkufizuar termin krim), të cilat kulmuan me ekzekutimin e 4 protestuesve më 21 janar. Thënë ndryshe, për fat të mirë akademik Qosja nuk u kompleksua fare nga nami i madh që ka ndër shqiptarët, dhe me të drejt e pa pardon, e drejtoi gishtin nga fajtori kryesor, e ndoshta i vetmi, që Shqipëria sot është në këtë, siç e quajti dhe vet akademik Qosja, krizë politike, ekonomike, shoqërore dhe morale. Dhe s’ka fije dyshimi se ai është Sali Berisha. Mirë që e tha!

Me këtë rast, akademik Qosja nuk harroi dhe nuk hezitoi fare që ta nxjerrë në pah edhe dyfytyrësinë e Europës, gjë kjo tashmë e dëshmuar në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët. E tha qartë që europianët po përdorin standarde të dyfishta në raport me Shqipërinë, meqë vet ata, pa një pa dy, i nënshtrohen me përulësi vullnetit të popullit, ndërsa ne na mësuakan se nuk është asgjë jodemokratike që në Shqipëri të mbajë pushtetin një pushtues (meqë Berisha i tillë është), përkundër vullnetit të popullit. Mirë që e tha!

Tutje, akademik Qosja nuk u hamend dhe nuk hezitoi fare që të propozojë edhe mënyrën dhe mjetet e amputimit (duhet të hiqet me operacion shoqëror) nga pushteti të Berishës. Duke qenë njohës i mirë i mentalitetit primitiv të Berishës, akademik Qosja i tregoi shumë qartë popullit e opozitës në Shqipëri se Berisha mund të amputohet nga pushteti vetëm me protesta të vazhdueshme e të pandërprera, dhe në fund të fundit edhe me mosbindje qytetare. Me këtë ai ua bëri të qartë se Berisha nuk mund të vetëdijesohet e ndërgjegjësohet, meqë një i çmendur në një qytet, do t’i marrë të gjithë të tjerët për të çmendur dhe asnjëherë s’mund t’i shkojë në mendje që të pyes veten për një gjë të tillë. Fundja, një gjë e tillë s’mund të pritet nga një i çmendur. Rrjedhimisht, ashtu siç përfundoi edhe akademik Qosja, Berisha duhet të shporret nga pushteti, se ndryshe s’bëhet me të. Mirë që e tha!

Kjo qasje e akademik Qosjes nuk është e panjohur për ne në Kosovë. Pothuajse të gjithëve u kujtohen vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, kur një klikë pakurrizorësh ia servonin dhe ia kërkonin popullit të Kosovës poshtërimin, të cilin e mbështillnin me petkun e rezistencës paqësore. Për fat të keq, ata e arritën këtë gjë, meqë për popullin e Kosovës poshtërimi dhe cenimi i dinjitetit të tyre u bë diçka e pranueshme, madje dhe e natyrshme. Për me tepër, ata ndërhynë edhe në kodin mental e moral të këtij populli, saqë pothuajse zhdukën e çrrënjosën gjithçka hyjnore, morale e fisnike që kishte populli shqiptar i Kosovës. Akademik Qosja ishte ndër të rrallët dhe më i zëshmi në luftimin e gjithë kësaj masakre morale e kombëtare që po ndodhte në Kosovë. Madje, me plot vetëdije, këtë qëndrim të tij ai e pagoi shumë shtrenjtë, së paku politikisht, meqë moralisht ishte dhe doli fitues nga kjo betejë. Pra, ajo që është me rëndësi, ai, pothuajse i vetëm dhe në kushte e rrethana shumë të vështira, nuk hezitoi dhe nuk u lodh së luftuari kundër një grupi njerëzish të pamoralshëm, të cilët, për më tepër, ia kishin shpëlarë trurin masës përmes propagandës dhe, kjo është më e keqja, thirreshin në emër të popullit të Kosovës. Gjithë këtë sakrificë tha se e bëri, dhe besoj se e bëri, për hir të drejtësisë dhe të vërtetës, dhe në mbrojtje të qenies shqiptare në këto troje. Mirë që e bëri!

Deri këtu gjithçka është në rregull dhe s’na mbetet të themi gjë tjetër për akademik Qosjen, veçse: lum ne që e patëm! Por, për fat të keq, s’mund të themi: lum ne që e kemi! Kjo për faktin se kohëve të fundit akademik Qosja e ka dëshmuar se di të përdorë standarde të dyfishta, gjë që nuk është cilësi e një intelektuali të mirëfilltë.

Akademik Qosja, me të drejt, e akuzon Berishën për servilist të ndërkombëtarëve, por, pa të drejt, e amniston nga një akuzë të tillë udhëheqësin dhe partinë udhëheqëse në Kosovë. Ai, me të drejt, e akuzon Berishën se po e privatizon Shqipërinë, por, pa të drejt, harron dhe nuk përmend faktin se edhe Kosovën tashmë e kanë bërë pronë private udhëheqësit momentalë. Akademik Qosja, me të drejt, e akuzon Berishën për manipulim dhe vjedhje të votës, por, pa të drejt, nuk ngre zërin kundër vjedhjes masive të votës në Kosovë, madje, dhe kjo është më e keqja, i vlerësoi me notë pozitive zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Me fjalë të tjera, akademik Qosja e kursen partinë dhe liderët që momentalisht udhëheqin Kosovën nga të gjitha kritikat dhe akuzat, megjithëse këta të fundit po kryejnë krimet dhe mëkatet e njëjta që kanë kryer dhe kryejnë Berishistët e Shqipërisë dhe Pacifistët e Kosovës. Udhëheqësit momentalë të Kosovës, ashtu si Berishistët, duan të vijnë dhe ta mbajnë pushtetin me çdo kusht dhe me çdo mjet; e kanë uzurpuar pushtetin dhe e kanë bërë vendin pronë private; pasurohen brenda nate sikur të kishin gjetur qypa floriri; pretendojnë dhe duan të kontrollojnë çdo institucion të pavarur; e cilësojnë tradhtar dhe kërcënojnë këdo që i kritikon e nuk pajtohet me ta; e mbajnë peng vendin dhe zhvillimin e tij për interesa të ngushta personale e klanore, etj., etj.. Udhëheqësit momentalë të Kosovës, ashtu si Pacifistët, po vazhdojnë të manipulojnë masën përmes propagandës e politikës së pamoralshme; e kanë shndërruar veten e tyre dhe popullin në shërbëtor dhe rob të ndërkombëtarëve; ditë e përditë e fyejnë dhe ofendojnë inteligjencën e popullit me gënjeshtra të llojllojshme pa fije morali; po vazhdojnë politikën kriminale për tjetërsimin dhe deshqiptarizimin e Kosovës, meqë, përveç që na i hoqën simbolet kombëtare, pothuajse gjithçka shqiptare në Kosovë e kanë demonizuar dhe përdorimi i termit shqiptar, de facto, është ndaluar në institucionet e Kosovës. Mos të flasim për atë se si me Kushtetutë na e kanë ndaluar realizimin e një ëndrre të kamotshme të të gjithë shqiptarëve, bërjen e shqiptarisë, Shqipëri, realizimin e së cilës aq shumë e ka kërkuar edhe vet akademik Qosja.

Atëherë përse heshtë akademik Qosja karshi këtyre matrapazëve, sharlatanëve, bashibozukëve e kriminelëve që udhëheqin në Kosovë (mbani mend që termi krim dhe kriminel do ripërkufizuar)? Unë nuk jam naiv dhe e di se këtë nuk e bënë nga frika e as nga ndonjë lloj i lakmisë. Këtë e bënë nga një motiv jo i denjë për një intelektual, nga parimi, që siç thotë populli, “për inati të resë më vdektë djali” (për inati të LDK-së le të fitojë PDK-ja)! Sikur po harron, apo qëllimshëm po e injoron, faktin që djali është bërë, në mos më i keq, po aq i keq sa edhe reja. Fundja, pavarësisht kësaj, kjo qasje nuk është cilësi e njerëzve parimorë e intelektualë.

Prandaj, si përfundim, akademik Qosja, për të qenë në gjendje që të ruaj epitetin e njeriut parimor dhe të intelektualit të pavarur e të mirëfilltë, duhet që patjetër të reagojë kundër bëmave dhe politikës djallëzorë që po ndjekë udhëheqësia aktuale e Kosovës. Në të kundërtën, në rast të mosreagimit të tij, ai mund dhe duhet të akuzohet për tradhti etike, përkatësisht të vetë-akuzohet, sipas përkufizimit të termit tradhti etike në Fjalorin Demokratik të vet akademik Qosjes. Apo ndoshta akademik Qosja, në vend që të ndryshojë qasjen e vet, planifikon ta ripërkufizojë termin Tradhti Etike?!


Jusuf Thaçi

Intervist per 21 janar 2011

2.2.11

Populli të largojë me mosbindje civile gënjeshtarin Sali Berisha .

Gënjeshtra dhe qytetërimi Mund të jetë Dekarti, mund të jetë Spinoza, mund të jetë Kanti e mund të jetë Klod Levi Strosi, nuk më kujtohet tash se cili prej tyre, ka thënë, sigurisht jo pikë për pikë siç po e paraqes unë thënien e tij, se njerëzimi ka hyrë në një epokë të re, më të lartë, të zhvillimit kulturor dhe, në përgjithësi, qytetërues, atëherë kur ka filluar ta shikojë e ta dënojë gënjeshtrën si një krim të rëndë.

Dhe, kështu, njerëzimi është shkëputur prej gjendjes parake në të cilën ndodhej kur ka filluar të dënojë gënjeshtarin, që bënte të keqen, e jo atë që i thoshte gënjeshtarit gënjeshtar.

Nuk e di sa e si është dënuar gënjeshtra me ligje në shtetin shqiptar prej se është krijuar ai: nuk e di sa e si është dënuar gënjeshtra gjatë të ashtuquajturës periudhë të peripecive menjëherë pas krijimit të këtij shteti, as gjatë gjashtë muajve të qeverisjes së Fan Nolit me ministrat e tij intelektualë të shquar, as gjatë mbretërisë së Ahmet Zogut, as gjatë totalitarizmit të Enver Hoxhës. E di, ndërkaq, se populli shqiptar në kohën kur nuk kishte arritur ta dënonte me ligje, e dënonte gënjeshtrën moralisht. Sipas traditës popullore, mashtruesi, gënjeshtari, ishte njeri i mallkuar, i përqeshur dhe i përbuzur e, në raste të veçanta, edhe i veçuar.

A e dënojmë ne gënjeshtrën sot me ligje?

A e dënojmë ne sot gënjeshtrën moralisht?

Jo.

Nuk më ka takuar të dëgjoj për gënjeshtar të dënuar ligjërisht dhe nuk më ka takuar të shoh në mediat elektronike gënjeshtar të dënuar moralisht në jetën tonë sot!

Dhe, pikërisht pse gënjeshtari nuk dënohet as ligjërisht, as moralisht, gënjeshtra është bërë mjet i politikës dhe mjet për sukses në jetën tonë.

Mjet i moskulturës në jetën tonë.

Gënjejnë intelektualë! Gënjejnë shkrimtarë! Gënjejnë krijues të fushave të ndryshme të arteve! Gënjejnë shkencëtarë! Gënjejnë politikanë, zyrtarë, shtetarë!

Askush më shumë, askush më rëndë, askush më gjithanshëm nuk gënjen se njerëzit e politikës - në mënyrë të veçantë ata të partisë në pushtet - të Partisë së Sali Berishës.

Zëzëllimat e tyre janë bërë të padurueshme.

Mund të them se e njoh mirë historinë e popullit shqiptar dhe mund të them kështu - se e njoh mirë, në radhë të parë sepse e njoh prej përbrenda: e njoh kulturën e tij, e njoh jetën e tij kulturore, shoqërore dhe politike. Njohuritë që kam për historinë e popullit shqiptar, për jetëshkrimet e krijuesve të ndryshëm të kohëve të ndryshme dhe për jetëshkrimet e shqiptarëve që kanë vepruar në politikën e atdheut a të pushtuesit të tij prej fillimeve të Rilindjes Kombëtare, madje, prej kohës së Skënderbeut e deri sot - këto njohuri historike që kam më bëjnë të mundshme të them: në historinë politike dhe në historinë kulturore të popullit shqiptar nuk ka pasur dhe nuk ka njeri publik, politikan a intelektual, që ka gënjyer sa dhe si gënjen ish-kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i tashëm i Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryetari 20-vjeçar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha. Me të, me Sali Berishën, nuk mund të krahasohet asnjë gënjeshtar i yni historik, madje, as pretenduesi i rrejshëm për fronin shqiptar, gënjeshtari spanjoll, Gjin Aleadro Kastrioti!


Gënjeshtarët ontologjikë

Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, gënjen kurdo dhe kudo: në çdo kohë dhe në çdo vend. Dhe, gënjen i harlisur. Ai gënjen në mbledhjet e zakonshme dhe në kuvendet kombëtare të Partisë së tij të quajtur demokratike; në akademi të ndryshme me të cilat përkujtohen vetje politike a kulturore apo me të cilat shënohen përvjetorë shtetërorë a partiakë; në mitingje; në fushata zgjedhore; në mbledhje të Qeverisë së Shqipërisë; në mbledhje të Kuvendit të Shqipërisë; në takime zyrtare a gjysmëzyrtare me bashkështetarë; në takime me politikanë e diplomatë ndërkombëtarë; në biseda në mediat dhe në konferenca me gazetarë; në takime me studentë dhe në takime me pedagogë e shkencëtarë!

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gënjen aq shpesh, aq mjeshtërisht dhe aq naivisht, aq djallëzisht dhe aq primitivisht, aq sofistikueshëm dhe aq hapur, aq premtueshëm e aq kërcënueshëm, saqë të gjitha këto ngjyresa të gënjeshtrave të tij publike bëjnë të mundshme, madje, të domosdoshme, të thuhet se gënjeshtra është thelbi i tij, substanca e tij mendore e shpirtërore, qenia e tij, ashtu siç është servilizmi thelbi, substanca mendore e shpirtërore, qenja e Ismail Kadaresë.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është gënjeshtar ontologjik; dhe antologjik, ashtu siç është Ismail Kadare servis intelektual i diktaturës komuniste dje dhe servis intelektual i despotizmit tribalist të Sali Berishës sot.

Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, si gënjeshtar nuk dua ta krahasoj me gënjeshtarët dhe me mashtruesit e njohur botërorë në shekujt e kaluar, siç ishin Xhon Lo, D'Eon, Nojhof, Kalostro, Plaku Trenk, e të tjerë dhe nuk dua ta krahasoj me ta sepse mashtrimet dhe gënjeshtrat e tyre, që ndodhin në fushë të politikës, nuk prodhojnë për të tjerët, por vetëm për ta, pasojat që prodhojnë gënjeshtrat e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për shqiptarët.

Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, nuk dua ta krahasoj as me gënjeshtarët e mëdhenj shtetarë, siç ishin Musolini dhe Stalini, dhe nuk dua ta krahasoj me ta sepse ata, të dy, edhe Musolini, edhe Stalini, ishin gënjeshtarë me stil të lartë, që gënjenin për qëllime të larta ideologjike dhe strategjike.

Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, ndërkaq, gënjen për çështje të rëndësishme dhe për çështje të vogla, kur e kur banale.

Ai gënjen kur flet për një urë të vogël dhe kur flet për një tunel të madh, kur flet për pajisjen e shkollave me kompjuterë dhe kur flet për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë, kur flet për vitin e kompjuterizimit vetjak dhe kur flet për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, kur flet për historinë e kohës së Skënderbeut e të kohës së komunizmit dhe kur flet për historinë e letërsisë shqipe, kur flet për bllokmenët e vjetër e bllokmenët e rinj dhe për vendin që ka ai ndër të parët dhe ndër të dytë, kur flet për figura intelektualësh dhe kur flet për figura politikanësh.

Në gënjeshtrat e tij rol posaçërisht të madh luajnë numrat dhe krahasimet. Numrat - kur e paraqet zhvillimin e fushave të ndryshme të ekonomisë, të arsimit e të shëndetësisë në Shqipëri dhe krahasimet - kur këtë zhvillim të Shqipërisë e përqas me zhvillimin e vendeve të tjera në Evropë e në botë. Në propagandën e rrejshme komuniste gënjeshtra kurrë nuk ishte aq e çmendur sa në propagandën gënjeshtare, delirante të Sali Berishës.


Vargu i gënjeshtrave

E keni parë dhe e keni dëgjuar çka thoshte dikur për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nano. Pjesëtar i klubeve të bixhozit në qendra të ndryshme evropiane; pronar ndërtesash dhe firmash; përfitues nga trafikimi i qenieve njerëzore; pastrues parash; padrino i klaneve mafioze; vrasës i qytetarit në hyrje të Durrësit. E të tjera. Zi e më zi! Dhe, këtë "kryekriminel" i cili, po të ishin të vërteta ato që thoshte atëherë, kur Fatos Nano ishte kryeministër, do të duhej të ishte ende në burg, pas një kohe, kur ai do të bjerë nga politika, do ta shpallë mik të çmuar me të cilin do të përpiqet të ndërrojë gjendjen kuadrore në Partinë Socialiste!

E keni dëgjuar çka thoshte dikur, në Qeveri, në Kuvend, në biseda në televizione për kryetarin e Partisë Socialiste për Integrim, Ilir Metën?

I thoshte të gjitha ato që i thoshte për Fatos Nanon plus disa zeza të tjera më të zeza se ato me të cilat e katranoste të parin! Lëshojeni xhirimin e dhënë në emisionin Fiks-fare mbi ato çka thoshte Sali Berisha për Ilir Metën dhe do të krijoni përfytyrimin e përafërt se sa e përshtrirë dhe se sa e përthelluar ishte veprimtaria kriminale e Ilir Metës! Sikur të ishin të vërteta ato që thoshte atëherë kryeministri i tashëm i Shqipërisë, Sali Berisha, për zëvendëskryeministrin e tij mandej shumë të dashur, Dritan Prifti nuk do të kishte pasur nevojë që t'i xhironte fshehurazi bisedat e tij me shefin e partisë në të cilën ishte, sepse Ilir Meta do të ishte i dënuar me shumë vite burg!

E keni dëgjuar çka flet kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në bisedat televizive, në konferencat me gazetarët , në Qeverinë e Shqipërisë, në Kuvendin e Shqipërisë për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe për zyrtarë të tjerë të kësaj partie?

Besoj se e keni dëgjuar- shumica; dhe shumë herë. Ato fjalë i kemi dëgjuar ne, shikuesit e zakonshëm, dhe ato fjalë do t'i dëgjojnë edhe pasardhësit tanë, që do të merren me patologjinë e jetës sonë të sotme politike. Për këtë arsye nuk e quaj të nevojshme t'i përsëris në këtë shkrim.

Po, me kaq nuk merr fund përmbledhja e deklaratave, e fjalimeve, e bisedave, e vetërrëfimeve, e lavdërimeve dhe e kërcënimeve përplot rrena të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Sali Berisha. Ajo është përmbledhje shumë e vëllimshme dhe vazhdon të plotësohet dita ditës dhe nata natës.

E dëgjuat sa gënjeu dhe si gënjeu kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, më 21, 22, 23, 24 janar dhe sa e si vazhdon të gënjejë për demonstratën e 21 janarit të Partisë Socialiste dhe të qytetarëve të tjerë që nuk janë anëtarë partish?

Së pari tha se tre të vrarët në demonstratë u vranë prej demonstruesve të tjerë dhe u vranë me pistoleta të kalibrit të vogël. Dhe, u vranë, shtoi ai, me qëllim që të akuzohej pushteti për vrasjen e tyre!

Nuk kishte nevojë të ishte mjekoligjor as ekspert balistik për të ditur se kjo ishte gënjeshtër e gënjeshtarit të dehur prej urrejtjes.

Mandej, pas disa orësh apo një dite - nuk e di sigurt, kur u përgënjeshtrua prej xhirimeve që kishin bërë kamera a celularë të gazetarëve a të qytetarëve dhe prej deklaratave të atyre që i kishin çuar deri në autoambulanca të vrarët, që dëshmonin se vrasjet u bënë prej gardistëve të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha e ndërroi pllakën dhe tha: gardistët kanë mbrojtur Kryeministrinë. Domethënë: kanë bërë vrasjen duke mbrojtur Sali Berishën (e parrezikuar prej askujt). Dhe, shtoi: me të gjitha këto do të merret prokuroria.

Dhe, kur Prokurorja e Përgjithshme e filloi hetimin për vrasjen e demonstruesve të paarmatosur dhe mori vendimin për arrestimin e gjashtë oficerëve të gardës, kryeministri e mohoi ç'tha më parë sepse e mohoi të drejtën e prokurorisë që të merret "me të gjitha këto". Dhe, kështu, edhe gënjeu prapë para opinionit shqiptar, edhe e shkeli Kushtetutën!

Por, për çështjen e hetimit të krimit të bërë prej gardës republikane më 21 janar, kryeministri i Shqipërisë do të gënjejë prapë, e prapë e prapë. Ndërmjetësuesit të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Katrin Eshton, në konfliktin e tashëm në Shqipëri - në konfliktin e tretë ndërmjet dy palëve kundërshtimore në politikën dhe në jetën shqiptare prej se Sali Berisha e sundon Shqipërinë, Mirosllav Llajçak, ai i tha: qeveria shqiptare do të përkrahë hulumtimin e pavarur të vrasjeve. Dhe, kështu, për të njëjtën çështje për tri ditë, gënjeu tri herë.

Përpos këtyre gënjeshtrave për të njëjtën çështje - për çështjen e hetimit të vrasjeve në demonstratën e 21 janarit, kryeministri shqiptar, Sali Berisha, bëri edhe tri gënjeshtra të tjera - tani për qëllimin e demonstratës së 21 janarit.

Cilat janë këto tri gënjeshtra të tjera?

E para, e shpalli demonstratën puç (që bëhet me çadra), që kishte për qëllim marrjen e pushtetit.

E dyta, e shpalli Prokuroren e Përgjithshme bashkëpjesëmarrëse të puçit (pa treguar nëse ishte në shtabin puçist apo demonstruese e thjeshtë); dhe,

E treta, e shpalli bashkëpjesëmarrës të puçit edhe Shërbimin Informativ Shtetëror!

Dhe, dëshmi e tij se demonstrata ishte puç nuk ishin as xhirimet e demonstratës, as deklaratat e demonstruesve, as informatat e shërbimit kombëtar, por, siç e theksoi vetë, informata të shërbimeve të jashtme, të huaja (ndoshta serbe, ndoshta malazeze, ndoshta maqedonase, ndoshta greke, e ndoshta italiane). Informata të shërbimeve amerikane, angleze dhe gjermane ato nuk mund të ishin sepse shërbimet informative amerikane, angleze dhe gjermane gjithsesi nuk do të merrnin pjesë në gënjeshtrat tragjikomike që bën kryeministri i Shqipërisë.

Zyrtarizimi i gënjeshtrave

Nuk ka dyshim se gënjeshtrat që bën kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, prej se fati fatal i Shqipërisë e ka nxjerrë në skenën politike shqiptare, e sollën Shqipërinë ku ishte në vitin 1997; ku ishte në vitin 1998 dhe ku është sot, në vitin 2011!

E ku është sot Shqipëria e sunduar prej tij?

Është në krizë të rëndë, të gjatë, të vazhdueshme, në të vërtetë në krizë të përgjithshme politike, shoqërore, shpirtërore, morale, që shprehet: me urrejtje të madhe njëzetvjeçare ndërmjet dy anëve politike, që nuk janë të liruara prej mendësish krahinore, dialektore dhe, ndoshta, fetare; me shpërthime të kohëpaskohshme të dhunës në demonstrata të qytetarëve; me largimin e pandërprerë të shqiptarëve prej atdheut të vet - në Itali, në Greqi, në vende të tjera evropiane, në SHBA, në Kanada, në Australi, në Zelandë të Re; me krimet gjithnjë e më të shpeshta në familje; me prostitucion; me drogë; me vetëvrasje; me fatkeqësi të jashtëzakonshme në trafik, në rastet më të shpeshta, të shkaktuara prej shpejtësisë dhe prej përdorimit të pijeve alkoolike; me shpërfytyrim moral që tregohet qoftë edhe me një indiferencë të pakuptueshme ndaj padrejtësisë e ndaj gënjeshtrës, duke përfshirë këtu, sidomos, gënjeshtrat që bën kryeministri me pretorianët e tij partiakë. E të tjera. E të tjera.

Pse Sali Berisha në vazhdimësi gënjen si individ, domethënë pse si individ në vazhdimësi dëshmohet gënjeshtar ontologjik - kjo edhe mund të durohet.

Por, pse Sali Berisha në vazhdimësi gënjen si kryeministër i Shqipërisë, domethënë pse si zyrtar i lartë shtetëror dëshmohet pandërprerë gënjeshtar ontologjik - e kjo nuk durohet, kjo nuk mund të durohet, kjo nuk duhet të durohet.

Mund të thuhet kështu, në radhë të parë për shkak se gënjeshtrat e tij janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen gënjeshtra partiake, gënjeshtra të një partie të madhe, gjithsesi të partisë së dytë për nga numri i anëtarëve në Shqipëri. Si gënjeshtra të ndërtuara dhe të shqiptuara prej kryeministrit dhe kryetarit të Partisë ato bëhen më lehtë gënjeshtra kolektive dhe zyrtare: gënjeshtra të zyrtarëve më të lartë partiakë në institucionet e shtetit: gënjeshtra të kryetares së Kuvendit, gënjeshtra të deputetëve, gënjeshtra të zëvendës-kryeministrave, gënjeshtra të ministrave, gënjeshtra të zëdhënësve dhe zëdhënëseve të partisë në institucionet partiake e shtetërore, gënjeshtra të diplomatëve anëtarë a përkrahës të PD-së, gënjeshtra të pronarëve, drejtorëve, kryeredaktorëve, gazetarëve të medieve elektronike e të tjera që janë anëtarë të PD-së apo përkrahës të saj.

Dhe, kështu me radhë. Dhe, kështu me radhë e pa radhë. Të gjithë këta pretorianë partiakë, politikë dhe profesionalë, jo vetëm se i shqiptojnë gënjeshtrat e kryeministrit, por, kur e kur, i zmadhojnë, i plotësojnë, i drakulizojnë.

E dëgjuat çka tha njëri nga këta pretorianë partiakë, që është i shpërblyer me post ministror për rolin e treguar në popullarizimin e gënjeshtrave të kryeministrit? Ai tha duke shqelmuar logjikën dhe gramatikën për ç'arsye po e parafrazoj thënien e tij për "barutin plot barut": ajo vetura me të cilën banda e demonstruesve iu vërsul derës së rrethojës së kryeministrisë ishte plot me eksploziv!

Kjo gënjeshtër ishte aq e marrë, aq e çmendur, saqë nuk kuturisi ta shqiptonte as kryeministri, i cili nuk stepet as nga gënjeshtrat më fantastike.

Duke u bërë gënjeshtra kolektive, partiake, zyrtare, gënjeshtrat e kryeministrit të Shqipërisë janë bërë aq më të rrezikshme, aq më kërcënuese sepse kanë fuqi më të madhe përshtrirëse dhe fuqi më të madhe shkatërruese në organizimin e shtetit dhe në përbashkësinë e Kombit.


Gënjeshtrat dhe demokracia

Për shkak të ndikimit të tillë shpërbërës, shkatërrues, shpërfytyrues në shtetin e në jetën shoqërore në përgjithësi të gënjeshtrave që mund të shqiptojnë zyrtarët, popujt me tradita shtetërore dhe politike i dënojnë rëndë gënjeshtarët politikë e shtetërorë dhe i ndëshkojnë rëndë gënjeshtrat e shqiptuara prej tyre. Në botën demokratike, politikani, shtetari, zyrtari, që bën qoftë edhe një gënjeshtër e lëre më më shumë, detyrohet të japë dorëheqje vetë apo shkarkohet nga pozita. Varësisht prej peshës së gënjeshtrës dhe pasojave të saj ai mund të dënohet për krim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fjala vjen, për herë të parë në historinë e tyre e kanë shkarkuar një kryetar - e kanë shkarkuar nga pozita e kryetarit të SHBA-ve, Riçard Niksonin, jo pse kishte ndodhur afera Uotergejt, por pse kishte deklaruar se nuk kishte ditur se po ndodhte kjo aferë.

Njëri prej kryetarëve më të popullarizuar amerikan, Bill Klinton, ishte gjetur në prag të shkarkimit nga pozita jo pse kishte vënë marrëdhënie të palejuara në Shtëpinë e Bardhë me një nëpunëse të administratës presidenciale, por pse në fillim kishte mohuar se kishte pasur lidhje me të. Ishte mirëkuptuar kur kishte kërkuar falje prej amerikanëve pse nuk e kishte thënë të vërtetën.


E ne, ç'bëjmë ne?

Ne jo vetëm se nuk dënojmë me ligje gënjeshtrat 20-vjeçare të ish-kryetarit të Shqipërisë, të kryeministrit të tashëm të Shqipërisë, të kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, që ka sjellë mendësinë lindore despotike dhe gënjeshtare në jetën politike e shtetërore shqiptare, por nuk i dënojmë ato as moralisht. Përkundrazi: ndodh të bëhemi përkrahës dhe popullarizues të tyre. Jo vetëm kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, jo vetëm zëvendës-kryeministri, jo vetëm ministrat, jo vetëm deputetët, jo vetëm diplomatët, jo vetëm zyrtarët e sektorëve të ndryshëm pushtetorë, jo vetëm drejtorë, kryeredaktorë, redaktorë, gazetarë, po edhe intelektualë mund të shihen e mund të dëgjohen e mund të lexohen duke u shërbyer me gojë e me shkrim gënjeshtrave të kryeministrit të Shqipërisë! Prej drojës! Për leverdi!

Po, t'i kthehem asaj fjalisë me të cilën e fillova këtë sprovë mbi gënjeshtarin ontologjik kampion ndër gënjeshtarët në historinë politike dhe kulturore shqiptare.

Në qoftë se është e vërtetë se njerëzimi është shkoqur nga gjendja parake dhe është ngritur në shkallë më të lartë të zhvillimit kulturor dhe, në përgjithësi, qytetërues, atëherë kur ka filluar ta shikojë dhe ta dënojë si krim të rëndë gënjeshtrën, mos do të thotë kjo se politika e Sali Berishës, në të cilën është e mbajtur gënjeshtra si thelb, kuptim dhe mjet i saj, tregon se ne në atë shkallë ende nuk jemi ngritur?

Nuk dua të besoj në këtë mundësi.

Ndëshkimi i gënjeshtarit

Gënjeshtrat e vazhdueshme, zyrtare, të Sali Berishës dhe të pretorianëve të tij partiakë, që kanë pushtuar institucionet e shtetit shqiptar, jo vetëm se sjellin dëmet, kërcënimet, rreziqet që po shohim këto ditë, por edhe e fyejnë rëndë popullin shqiptar. Nuk thuhet kot në botë: popullin nuk ka të drejtë ta gënjejë asnjë njeri politik. Dhe, askush.

Populli shqiptar do ta rikthejë dinjitetin e përulur, të fyer rëndë prej gënjeshtrave të Sali Berishës dhe pretorianëve të tij politikë e shtetërorë vetëm në një mënyrë: duke e larguar Sali Berishën prej pushtetit dhe, pas largimit prej pushtetit, duke kërkuar hetimin e pasojave të gënjeshtrave të tij në jetën kombëtare dhe në sigurinë e qytetarëve. Dhe, kjo mund të arrihet jo me fjalimet poetike e përshtypjelënëse të Edi Ramës, por (në qoftë se nuk pranohen zgjedhjet e parakohshme) me lëvizje popullore dhe mosbindje qytetare.

Jam thellësisht i bindur se vetëm duke e larguar Sali Berishën prej pushtetit dhe duke e nxjerrë në gjyq për pasojat kriminale të politikës së tij sidomos më 1997, 1998 dhe, tani, më 2011 Shqipëria do ta kthejë rendin, paqen, drejtësinë dhe qëndrueshmërinë.

Dhe, ç'është me rëndësi tepër të madhe: do ta ndalë rënien shpirtërore dhe morale që po e shkallmon.

Prishtinë 29.1.2011

28.1.11

Ata që në pushtet mbahen me dhunë, nga dhuna do vdesin

Shteti shqiptar vazhdon të vrasë qytetarët e vet; dhe vazhdon t'i vrasë me fjalë dhe me armë. Përvoja historike ka dëshmuar se vrasjeve shtetërore me armë po thuaj gjithmonë u paravijnë vrasjet shtetërore me fjalë. Në Kosovë, gjithmonë, para se të na vrisnin me armë shteti serb dhe shteti jugosllav, na vrisnin me fjalë politikanët dhe shtetarët serbë.

Është e gjatë, shumë e gjatë, vrasja shtetërore me fjalë në jetën e shqiptarëve: e gjatë sa është e gjatë jeta e shtetit shqiptar; e gjatë sa janë të gjata pushtimet e pushtuesve në historinë e shqiptarëve.
Të gjata janë vrasjet shtetërore me fjalë dhe me armë edhe në disa shtete të tjera evropiane. Njëzet vitet e fundit është shtuar shumë vrasja e shqiptarëve
së pari me gojën e politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë e, pastaj, me armët e policëve dhe gardistëve shqiptarë që përdoreshin prej tyre.

Kujtojeni vrasjen masive të shqiptarëve me gojën e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në mbledhjen e Kuvendit të Shqipërisë me 17.1.2011! Vrasës politik i denjë për tragjeditë e Shekspirit.

Kujtojeni varrosjen e këtyre të vrarëve me gojën e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Josefina Topalli, po në atë mbledhje të Kuvendit të Shqipërisë! Kujtojini varrosjet e të vrarëve me gojën e kryeministrit në sa e sa mbledhje të përparshme të Qeverisë e të Kuvendit me qeshjet cinike të kësaj kryetareje të Kuvendit të Shqipërisë! Varrtare e denjë për Makbethin e Shekspirit! Pse shteti shqiptar i vret pamëshirshëm qytetarët e vet?

Pse shteti shqiptar i vrau pamëshirshëm tre qytetarë të vet dhe plagosi dhjetëra të tjerë në demonstratën e 21 janarit? Cilat janë arsyet e këtyre vrasjeve dhe të këtyre plagosjeve
të qytetarëve shqiptarë nga shteti shqiptar? Mendësia! Zakonet! Prapambeturia! Primitivizmi! - do të thonë disa.
Nuk do t'i shpjegoj vrasjet e qytetarëve shqiptarë prej shtetit të vet me nocione të tilla, të lashta, edhe pse roli fatal i tyre në këto krime është i madh, po me nocione të tjera, moderne. Shkak i vrasjes shtetërore me gojë të qytetarëve shqiptarë është edukata katastrofale familjare e vrasësit, por shkak i vrasjes shtetërore me armë është një koncept tjetër.

Shkak i vrasjes shtetërore me armë të qytetarëve shqiptarë është koncepti romantik, anakronik, në të vërtetë koncepti në demokracitë moderne plotësisht i tejkaluar për shtetin, që përcakton sjelljen vrastare të kryeministrit të Shqipërisë, të pretorianëve të tij politikë dhe të kryetares fatale të Kuvendit të Shqipërisë.

Dhe, ky koncept romantik, në të vërtetë i tejkaluar për shtetin lexohet në sytë dhe në fytyrën e egërsuar të Sali Berishës, të pretorianëve të tij politikë; dhe partiakë! Dhe, sidomos, të Kryetares së Kuvendit. Dhe, ky koncept romantik, në të vërtetë i tejkaluar për shtetin shqiptohet shpesh prej politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë rreth Sali Berishës.

E kam dëgjuar shumë e shumë herë. Posaçërisht egër të shqiptuar e dëgjova në prag të demonstratës së 21 janarit, ditën e mbajtjes së demonstratës, ditën e parë pas demonstratës dhe ditën e dytë pas demonstratës.

Një ditë para demonstratës e shqiptoi, figurshëm dhe shpjegueshëm, ministri i Mbrojtjes. Ai doli para televizioneve, në cilësinë e ministrit, dhe tha: qeveria e Shqipërisë është legjitime; është e zgjedhur me votën e popullit; dhe, nuk mund të rrëzohet me demonstratë.

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë me këto fjalë ua çoi këtë porosi shqiptarëve: në qoftë se provoni të prishni rendin e Sali Berishës, demonstratën tuaj do ta shtrijë për tokë ushtria e Republikës së Shqipërisë. I tha këto fjalë ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe me hap ushtarak u zhduk në zyrën e tij.

Menjëherë pas ministrit të Mbrojtjes në të njëjtat media elektronike e pash dhe e dëgjova ministrin e Rendit Publik. Kërcënimi i tij ishte më i drejtpërdrejtë, kurse koncepti që ka për shte- tin shumë më i qartë. Ai tha: të gjithë ata që do të prishin rendin (në demonstratë) do të ballafaqohen me grushtin e pamëshirshëm shtetëror të ligjit! Koncepti shtetëror i ministrit të Mbrojtjes dhe koncepti shtetëror i Ministrit të Rendit Publik të Shqipërisë u realizua siç e kishin menduar ata pikërisht ditën e demonstratës, në të vërtetë siç e kishte paramenduar padishahu i tyre.

Gardianët e mbrojtjes së Shtetit, në të vërtetë të Kryeministrisë, në të vërtetë të kryeministrit, në të vërtetë të Sali Berishës vranë me armët e tyre, disa media thonë, me snaiperët e tyre qytetarë të paarmatosur! Policët e Mbrojtjes së Rendit Publik të Shtetit rrahën pamëshirshëm
dhe plagosën shumë nënshtetas të Republikës së Shqipërisë, që bënin demonstratë për një shtet pak më të mirë se ç'është ky në emrin e të cilët u vranë ata të tre dhe u plagosën ata që u plagosën!
A duhej të vriteshin ata tre qytetarë të Shqipërisë, që ishin çuar në demonstratë për një Shqipëri më të mirë, më të drejtë, më demokratike se ç'është kjo e sotmja, e sunduar prej Sali Berishës dhe pretorianëve të tij? Politikanë, diplomatë, shtetarë, intelektualë të vendeve demokratike po thonë: Jo. Demonstruesit, njerëzit e paarmatosur, nuk duhet të vriten, as të plagosen, kurrë dhe kurrkund, prandaj as në demonstrata.

Kryeministri i Shqipërisë dhe pretorianët e tij politikë e partiakë thonë: Po. Duhet të vriten! Dhe, thonë kështu jo vetëm për shkak të urrejtjes së madhe, iracionale që shpërthen prej syve , prej pamjes dhe prej
gojës së tyre, por edhe për shkak të konceptit romantik, anakronik, kundërdemokratik, që kanë për shtetin.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha: "Banditët (demonstruesit - R.Q.) do të përballen me atë që nuk mund ta imagjinojnë"! E kjo: që nuk mund ta imagjinojnë, domethënë me zhdukje, asgjësim të menjëhershëm, aty, para Selisë së tij, para Shtëpisë së tij, para çdo institucioni shtetëror të cilit do t'i afrohen siç iu afruan ata me 21 janar Kryeministrisë së tij.

Kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi, tha, dhe thënien e tij mediat elektronike e përsëriten prej çastit kur e shqiptoi deri në çastin kur po e shkruaj këtë artikull: "Ruajtja e institucioneve dhe e rendit kushtetues është jetike për demokracinë"! Meqenëse ruajtja e institucioneve dhe e rendit kushtetues edhe prej qytetarëve të vet, edhe prej demonstratës së atyre, që në demonstratë nuk janë çuar as për të përmbysur institucionet, as për të ndryshuar rendin kushtetues (jodemokratik) që
mbron kryetari i shtetit, është jetike, atëherë kundër tyre është e lejueshme të përdoren edhe armët! Siç u përdorën! Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë demokratike dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, tha: "Rendi kushtetutar do të mbrohet me çdo kusht!"

Vetëkuptohet se kjo me çdo kusht do të thotë: edhe me snaiperët e gardistëve që vranë tre qytetarë të paarmatosur, edhe me kallashë, edhe me mitralozë, edhe me topa, edhe me autoblinda, edhe me helikopterë ushtarakë, edhe me minahedhës - thjesht me të gjitha armët! Me Policinë! Me Gardën republikane! Me ushtrinë!

Ata që e duan historinë dhe ata që e lexojnë historinë mund të mësojnë se fjali të tilla, më pak a më shumë të përpunuara, më të gjata a më të stisura, në të cilat është i përmbajtur koncepti romantik, primitiv, reaksionar, vrasës për shtetin, me qindra herë, me mijëra herë janë dëgjuar prej politikanëve, zyrtarëve, shtetarëve, në të vërtetë pretorianëve politikë të Musolinit, të Hitlerit dhe të Stalinit. Koncepti shtetëror që shprehin fjalitë e sipërthëna të pushtetarëve të sipërpërmendur shqiptarë është koncept që mund ta quajmë si të doni: në daçi fashist, në daçi nacionalsocialist, në daçi stalinist! Nuk është e mundshme të merrem me përdallimet e tyre tani.

Ai është koncept që fetishizon shtetin; që mitizon shtetin! Ai është koncept që e fashistizon, që e stalinizon shtetin! Ai është koncept që e bën shtetin vrasës të qytetarëve të vet kurdo ata shprehin pakënaqësi me gojë a me sjellje për shtetin që sundojnë ata që kanë atë koncept. Koncepti shtetëror që shprehin fjalitë e sipërthëna të pushtetarëve të sipërpërmendur shqiptarë vetëm koncept demokratik nuk mund të jetë kurrë.

Demokracia moderne nuk e shenjtëron, nuk e fetishizon, nuk e mitizon shtetin. Në demokracinë moderne shteti është një servis i qytetarëve, që u shërben qytetarëve. Shtetarët punojnë në atë servis për t'i shërbyer popullit. Domethënë: shteti është i popullit e jo i servistarëve. Në demokracitë moderne ndaj demonstratave, prandaj, nuk reagohet me çdo mjet shtetëror! Demokrcia nuk i vret qytetarët e vet përpos kur kryeministrat e saj bëjnë politikë të çmendur si Ben Alia i Tunizisë...!

Në demokracitë moderne kurrë asnjë zyrtar nuk mund të thotë siç tha kryeministri i Shqipërisë: "gardistët (vrastarë, që kanë vrarë tre qytetarë të paarmatosur) kanë mbrojtur kryeministrinë! Kanë mbrojtur institucionin shtetëror".

Në demokracinë moderne kurrë nuk mund të ndodhë që qeveria, shteti, t'i shpërblejë me një rrogë më shumë e t'i shpallë heronj vrasësit e demonstruesve. Jo. Se ashtu shteti shpërblen dhe nxit vrasjen e qytetarëve të vet. Shpërblime të tilla mund të japë vetëm shtetari kriminel.

Në demokracinë moderne nuk mund të mendohet, prandaj as të thuhet, se "Ruajtja e institucioneve dhe e rendit kushtetues janë jetike për demokracinë". Institucionet demokratike mund të jenë të ndryshme: institucione demokratike të tipit skandinav, institucione demokratike të tipit francez, institucione demokratike të tipit gjerman, institucione demokratike të tipit anglez, institucione demokratike të tipit amerikan. E të tjera.

Por institucione demokratike kurrë nuk mund të jenë institucionet që Sali Berisha me pretorianet e tij, detyrohet t'i mbrojë me të gjitha mjetet, prandaj ruajtja e tyre nuk mund të jetë jetike për demokracinë.

Dhe, një fjali e tillë nuk mund të shqiptohet në kontekstin në të cilën e shqipton kryetari i Shqipërisë; dhe, një fjali e tillë nuk mund të shqiptohet në situatën në të cilën e shqipton kryetari i Shqipërisë. Institucionet jodemokratike të Shqipërisë nuk e kishte ndërmend t'i përmbyste kush me 21 janar.

Dhe, ata që u çuan në demonstratë e thanë shkoqur: ne nuk duam të ndërrojmë pushtetin me dhunë; dhe ne nuk duam të marrim pushtetin me dhunë: ne kërkojmë vetëm zgjedhje të parakohshme.

Le ta thotë populli, në zgjedhje të parakohshme, të lira, pas zgjedhjeve të vjedhura, se prej kujt dëshiron të jetë i qeverisur. Demokracia moderne, demokracia demokratike e jo feudale, e jo fshatare, e jo fashiste, e jo staliniste nuk i pret me plumba demonstruesit që futen në institucionet e shtetit pa leje, pa kërkesë po me protesta, me pankarta e me demonstrata.

Shembuj të sjelljes së tillë të demokracisë moderne ndaj qytetarëve të vet në Evropë po shohim qe sa vite. Institucionet shtetërore janë institucione të popullit, të të gjithë qytetarëve dhe atyre u njihet e drejta, natyrore, sipërore, të hyjnë në to kur pajtohen dhe kur nuk pajtohen me to, kur i pranojnë dhe kur ngrihen për ndërrimin e qeveritarëve e, sidomos, të uzurpatorëve, të despotëve të tyre.

Qeveritarët e institucioneve shtetërore demokratike nuk frikësohen prej qytetarëve të vet, nuk frikësohen prej protestave dhe demonstratave të qytetarëve të vet, prej hyrjes së tyre në to.

Prej qytetarëve të vet, prej protestave dhe demonstratave të qytetarëve të vet, frikësohen qeveritarët dhe qeveritaret që kanë arsye të frikësohen prej tyre: frikësohen qeveritarët dhe qeveritaret që e gënjejnë popullin, siç e gënjen pandërprerë kryeministri Sali Berisha, që e tallin siç e tall Jozefina Topalli jo vetëm
kur e krahason Shkodrën e përmbytur me Venedikun, që e nëpërkëmbin, që ia vjedhin e ia plaçkisin pasurinë siç ia vjedhin dhe plaçkisin zyrtarë të lartë shqiptarë, që e bëjnë korrupsionin sistem siç e ka bërë Sali Berisha me pretorianët e tij qeveritarë, që e bëjnë qeverinë skuadër biznesmenësh e familjarësh të biznesmenëve, që bëjnë politikë shtetërore të shtetit të 500 pasanikëve dhe 3 milionë fukarenjve, që ia mbyllin gojën popullit siç ia ka mbyllur Sali Berisha
në shumicën e medieve elektronike, të tipit Klan, ABCnjuz, TVSH e të tjera, që e vrasin siç po e vret Sali Berisha me pretorianët e tij tani dhe siç e vrau më 1997.
Prej qytetarëve të vet, prej protestave dhe demonstratave të qytetarëve të vet, frikësohen qeveritarët dhe qeveritaret që, megjithatë, nuk e harrojnë mësimin historik: ata që në pushtet mbahen me gënjeshtra e me dhunë ata prej dhunës do të vdesin!

Fjalët që po shqipton, sidomos fjalët nxitëse të luftës qytetare që shqiptoi në mbledhjen e qeverisë më 23 janar, sjelljet që po bën këto ditë sidomos shpallja e kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryeprokurores shtetërore grushtshtetas, të jashtëligjshëm, që presin gjyqin e tij, tregojnë se Sali Berisha është i pushtuar prej mendimesh se ka shumë arsye të frikësohet; dhe, të rrethohet me gardistë të snaiperizuar në kështjellën e tij qeveritare; pas 21 janarit 2011 edhe më shumë se deri më 21 janar 2011.

DJALI I VUTHAJVE

-Duke menduar per sulmet e rrepta,shpesh te pakuptimta,
ndaj akademikut te nderuar Prof dr Rexhep Qoses-


…!
Vepra e Tij,qe naltohet ne vite ,
Na flet me piskame kreshnike :
“Fjalen gdhend,si gur per qoshe ,
Mjeshtri i penes,Rexhep Qose” .

…!
E godasin ,atje,M’at’ane ,
Kapercen Qafe-Borin ,
Dirgjet,zhdripe ne Valbone :
-C’ka do ketu,- i thone ?!

-Pse,(qashtu) ke shkrue ,
Edhe K’ha i turren ,
E gjuejne pa meshire ,
-Nuk je ka rri mire…!

…!
Zjarr e hekur! Urdheri :
-Te perlyhet Akademiku (!!),
Djalit te Vuthajve ,
Nuk i luen cerpiku .

Hijebredh,pishe n’kersh ,
Nga furtunat nuk ka dert ,
Per c’ka ne letra e vulose ,
Me Mujin e Halilin flet !

…!
Nuk te kap dot kerbaci ,
Baba-Rexhe,-ngado qe vjen ,
Ti,je lart,ne Rreth te Bardhe ,
Vije ajrore me Shklezen .


./…

Pushtetet,bime pakvjecare ,
Nisin e zverdhen,kah’ vjeshta ,
Burrat e medhenj te artit,
(Gozhda e qyrkut,ne mur),
Dragoj,qe i perkund vepra !

Shkenca,si Oret e Malit,
Nuk duhet m’eu gjete fjete,
Do e lypim kalibrin Qose,
Aaa…,(s)kena me e gjete !

…!
Vepra e Tij,qe naltohet ne vite,
Na flet,me piskame kreshinike:
“Fjalen g’dhend,si gur per qoshe,
Mjeshti i penes,Rexhep Qose “. *

REXHEP QOSJA

Ne opusin e tij krijues R. Qosja shkroi veshtrime kritike, recensione e trajtesa per: Esad Mekulin, Enver Gjerqekun, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Din Mehmetin, Abdylaziz Islamin, Muhamet Kerveshin, Beqir Musliun etj. Ne pergjithesi shkroi veshtrime dhe kritika per krijuesit ne Kosove, e nje numer me te vogel i shkroi edhe per ata qe krijuan ne Shqiperi. Kjo erdhi si rezultat i ndarjes regjionale te letersise shqiptare, si nje komunikim i penguar ne mes te ketyre regjioneve, por edhe si nje perpjekje per ta ngritur letersine e kesaj ane ne nivelin kombetar.Per poezine e sotme shqipe Qosja shkroi qysh ne librin e pare ”Epizode letrare” ne vitin 1967, kur shkroi per poezine e Enver Gjerqekut, ne shkrimin me titull ”Poezija dhe pervoja”. Ne librin me trajtesa ”Dialogje me shkrimtaret”, te cilin e botoi me 1968, krahas shkrimeve per Zef Seremben, Naim Frasherin, Migjenin, Lasgushin, kemi edhe dy trajtesa per krijimtarine e dy poeteve tane bashkekohore , Esad Mekulit dhe te Enver Gjerqekut. Ne kete kohe ne Kosove krijuesit me te dalluar ishin keta dy poete qe u permenden me lart. Poete si Din Mehmeti, Rrahman Dedaj, Ali Podrimja etj., ishin ne hapat e pare te krijimtarise se tyre. Ne veshtrimin per Esad Mekulin, kritiku thekson angazhimin e E. Mekulit ne letersine shqipe, angazhimin intelektual te tij, po edhe mungesat qe hasen ne krijimtarine e Mekulit. Esad Mekuli per Rexhep Qosjen ”asht poet i popullit dhe i problemeve te tij ma qenesore” . Ai, Esad Mekuli, ”flet ne veten e pare jo si individ i veçuem, por i mishnuem plotesisht me ndjenjat dhe vetedijen e Shqiptarit, si nji simbioze ndjenjash dhe aspiratash te perbashketa jetesore” . Ne poezine e Mekulit kritiku has edhe ne ”pasojat e zhdanovizmit dhe te kohes kur prej shkrimtareve kerkohej te glorifikonte ate, e cila kerkohej prej tij” Mirepo Esad Mekuli ndoqi nje rruge te veçante ne krijimtarine e tij, duke i ikur gjuhes bombastike, parullave te kohes, patetikes se larte etj.Ne kete punim Profesori ben periodizimin e krijimtarise se E. Mekulit dhe vjen ne perfundim se ”poezia e tij eshte fenomen specifik i letersise sone” . Esad Mekuli bindjet e veta krijuese i formoi ne vitet ´30. Si bir i nje populli te vogel e te shtypur, ai u be krijues i ketij populli, kengetar i vuajtjeve dhe i shpresave te tij. Perhapja e ideve revolucionare lindte shpresa te ky popull per çlirimin kombetar. Mekuli u be poet vizionar per nje ardhmeri me te lumtur te popullit te tij dhe te njerezimit. Uni i tij krijues u shkri me unin e popullit dhe u be nje Une i shtypur, i perdhunuar, i vrare, i sakatosur, por edhe nje Une enderrues dhe kryengrites ne te njejten kohe.Ndersa nje krijues tjeter i afirmuar ne poezine shqipe ishte Enver Gjerqeku. Ky poet i ri duke jetuar ne nje kohe dramatike per popullin tone, ne vitet ’50 dhe ’60, ben nje ikje, nje largim nga ky realitet dhe futet ne qenien e vet subjektive dhe i shpalon dhembjet shpirterore e fizike te tij. Ai shkruan nje poezi intime, por edhe autobiografike, shkurt nje autobiografi intime.Ne librin ”Panteoni i rralluar” kemi nje varg recensionesh per poezine e sotme shqipe. Ne kete liber trajtohet poezia e: Musa Ramadanit, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Hasan Hasanit, Milaim Berishes, Ibrahim Kadriut, Adem Zejnullahut dhe Rifat Kukajt.